Kelam: Parlament legjitim, qeveri legjitime

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ – Shefi i delegacionit të Parlamentit Europian i ardhur në Tiranë, Tunne Kelam deklaroi sot se “parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe ju keni një qeveri legjitime”.

Në konferencën për shtyp, Kelam iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me deklaratat e opozitës se parlamenti nuk është legjitim.

“Ne e kemi diskutuar këtë ide dhe kemi dëgjuar mendime të ndryshme që ekzistojnë për këtë ide. Mendimi im është që parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe ju keni një qeveri legjitime. Kështu që mendoj që përqendrimi tek ideja e pasjes së një qeverie të përkohshme ose kalimtare, do të dëmtonte përqendrimin që duhet të keni për negociatat”, deklaroi ai.

“Zgjedhjet janë të njohura, janë pranuar, dhe duhet aderuar në institucione. Bojkotimi i Kuvendit, në vetvete përbën një sinjal shumë të keq, cenon besueshmërinë e kombit dhe të shtetit. Ne nuk jemi dakord që bojkotimi i Kuvendit do të ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Nuk mund të gjesh dot një arsye, një pretendim për të penguar anëtarësimin, nga interesa partiake”, theksoi ai.

“Përgatitja për qershorin do të thotë pajtim dhe unitet kombëtar dhe siç e thashë kjo është puna juaj”, deklaroi ai. /e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.