Shkodër/ Finalizohet me sukses operacioni policor “SEGMENTI”

TIRANË, 27 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Policia e Shkodrës ka realizuar me sukses operacionin “Segmenti”, duke goditur grupin kriminal që trafikonte marijuanë, duke arrestuar katër persona.

Sipas njoftimit të Policisë, pas një pune të mirëfilltë operative policore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në lidhje me një grup kriminal që ka lidhje me organizimin, financimin dhe transportin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (Marijuanë) në qarkun e Shkodrës, u finalizua me sukses operacioni policor “SEGMENTI“ dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: N. M. 45 vjeç, banues në fshatin Baks, Shkodër, D. D. 41 vjeç, banues në fshatin Mnelë, Shkodër, J. N. 34 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe Shkodër dhe A. T. 24 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Shkodër.

Arrestimi i tyre nga policia u bë pasi në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, gjatë veprimeve hetimore në automjetin tip “Audi ” i parkuar në afërsi të një karburanti, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Marijuanë e cila rezultoi me peshë 100 (njëqind) kilogramë e 67 gramë.

Në vijim të hetimeve në banesën e vjetër të shtetasit D. D., është gjetur edhe një sasi lënde e dyshuar narkotike me peshë 222 gram lëndë e dyshuar Cannabis Sativa. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 100 kilogramë e 289 gramë lëndë e dyshuar narkotike, marijuanë, 2 automjete dhe katër telefona celularë.

Policia vijon operacioni për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal dhe destinacionin përfundimtar të kësaj linje trafiku të drogës.

Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale të “Prodhimit e shitjes së narkotikëve” kryer në bashkëpunim. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.