OKB – SHBA-ja kërkon votim në Këshillin e Sigurimit për Venezuelën

NJU-JORK, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – SHBA-ja kërkoi të zhvillohet një votim nesër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi një projekt rezolutë që kërkon zgjedhje presidenciale të lira, të drejta dhe të besueshme në Venezuelë si dhe një hyrje të lirë të ndihmave humanitare në këtë vend, sipas burimesh diplomatike.

Projekt rezoluta, kundër të cilës është Rusia që mbështet Nicolas Maduro dhe që pritet të vendosë veton e saj, dënon gjithashtu “dhunën dhe përdorimin e tepruar të forcës nga forcat venezuelase të sigurisë kundër manifestuesve paqësorë dhe të paarmatosur”.

Ndryshe nga teksti i parë i propozuar nga SHBA-ja në fillim të shkurtit, kjo projekt rezolutë që i është dorëzuar 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nuk i jep më mbështetje të plotë Asamblesë kombëtare që drejtohet nga opozitari Juan Guaido por mjaftohet të theksojë autoritetin kushtetues të kësaj të fundit. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.