Manastirliu në Kavajë: Të vendosur të zbatojmë regjimin e ri në spitale

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/- “Jemi të vendosur për të zbatuar regjimin e ri në spitale, duke kufizuar vizitat e familjarëve dhe duke i ndaluar ato ne shërbimet e urgjencës”.

Kështu deklaroi nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ku vijoi konsultimet në kuadër të turit të takimeve të hapura me qytetarët, mjekët dhe infermierët.

“Ndryshimi vjen së pari nga bluzat e bardha. Është koha të vendosim një marrëdhënie të re mjek-pacient dhe të zbatojmë regjimin e ri në spitale, me zbatimin rigoroz të disiplinës dhe rregullit”, tha Manastirliu gjatë takimit me stafin mjekësor të spitalit të Kavajës.

Mjekët kërkuan mbrojtje dhe mbështetje për të kryer detyrën e tyre me dinjitet.

“Mos prisni që ndryshimi të vijë nga lart. Ndryshim e bëni ju të parët. Nëse ju i respektoni rregullat, komunikoni me kujdes me qytetarët, patjetër do të gjeni mirëkuptimin e tyre”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Sipas urdhrit të ministres për të gjitha spitalet në vend, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër, do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe pasdite nga ora 17:00 -19:00.

Ndërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00 – 12:00 dhe 18:00 – 19:00.

Spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake do të marrin masa të vendosin disiplinimin dhe rregullin në shërbimet e urgjencës, duke mos lejuar prezencën e personave të pa-autorizuar që nuk marrin shërbim shëndetësor, duke krijuar ambiente te posaçme për pritjen e familjarëve dhe komunikimin me mjekët, por nuk do të lejojnë familjarë në ambiente ku ofrohet shërbimi i urgjencës. Përjashtim bën rasti kur mjeku vlerëson praninë e një familjari.

Gjatë takimit me stafin mjekësor ishin të pranishëm dhe tre mjeket e reja të specializuara në Pediatri, Onkologji dhe Endokrinologji. Në të gjithë vendin, 161 mjekë që përfundojnë specializimin brenda muajit shkurt, të cilët kanë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë, do t’i shtohen ekipeve mjekësore në spitalet publike të vendit.

Viti i parë i specializimeve, pas një bllokimi 4-vjeçar, do të sjellë 300 mjekë të rinj specialistë. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.