Haradinaj pret anëtarin e këshillit bashkiak të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj

PRISHTINË, 27 shkurt /ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj priti sot në takim anëtarin e këshillit bashkiak të New York-ut Mark Gjonaj dhe delegacionin shqiptaro-amerikan.

Haradinaj tha se biseduan për shumë tema me rëndësi për shqiptarët dhe se shqiptarët ende kanë nevojë për Amerikën.

Kryeministri Haradinaj tha se ka nderin ta nderojë Gjonajn me dekoratën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e motivi është lartësimi i vlerave kombëtare.

“Mark Gjonaj është i zgjedhur i popullit në New York. Kemi biseduar shumë tema, prej shqetësimeve të punëve në Kosovë, e kemi edhe një situatë festive, me 3 mars votojnë shqiptarët e Tuzit, i ftojmë të gjithë shqiptarët të votojnë. Ne ende shqiptarët në Ballkan kemi nevojë për njerëzit tanë në Amerikë që vazhdojmë të qëndrojmë bashkë”, tha Haradinaj.

Anëtari i këshillit bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj tha se është nder për të që sot  ndodhet në Kosovë, në vigjilje të 11-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Gjonaj theksoi nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ndërsa shtoi se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve janë dhe do të jenë gjithmonë të forta.

“Është nder i madh që jam këtu, pasioni dhe emocionet që kisha kur eca në sheshet e Prishtinës, dhe të jesh në mes të këtyre njerëzve është diçka që do e kujtoj shumë vjet. Ne biseduam edhe për vazhdimin e dialogut sepse është në interes të Kosovës, kjo ndihmon në ndërtimin e të ardhmes për të gjithë shqiptarët në botë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-ve janë të forta dhe gjithmonë do të jenë. Kosova është vend i pavarur dhe po vepron si i tillë”, tha Gjonaj.

Po ashtu tha se nuk është sot në Prishtinë me mision nga ShBA për heqje të takës ndaj Serbisë. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.