Erasmus +, prezantohet moduli “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen europiane”

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/- “Numri i aplikimeve për Programin Erasmus + është gjithmonë e në rritje, por është e rëndësishme që të kemi edhe më shumë aplikime dhe kjo arrihet nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të studentëve”.

Kështu theksoi sot rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, gjatë takimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në kuadër të Projektit Erasmus + Jean Monnet për prezantimin e modulit “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen europiane”.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi, koordinatorja e Zyrës Kombëtare të Programit Erasmus +, Aida Breti, stafi akademik i departamentit të Historisë, si dhe studentë të këtij departamenti.

Duke falënderuar koordinatoren e projektit Meljana Bregu, ekipin pjesëmarrës të Projektit Jean Monnet rektori Koni u shpreh se “të gjitha strukturat e Universitetit të Tiranës, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Studentët, koordinatorët akademikë të fakulteteve dhe pedagogët shprehin gatishmërinë dhe angazhimin e tyre. Gjithashtu Koni falënderoi të gjitha strukturat për punën e tyre”.

Rektori Koni u ndal edhe tek projektet “Capacity Building” të Programit Erasmus + duke ftuar të gjithë stafin akademik të Universitetit të Tiranës që të aplikojnë për të qenë pjesë e tyre.

Në fund të fjalës së tij, Koni i uroi suksese Projektit Erasmus + Jean Monnet, si dhe studentëve që ishin pjesë e tij.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Sabri Laçi shprehu kënaqësinë e promovimit të iniciativave të tilla nga pedagogë të rinj dhe që këto iniciativa rezultuan të suksesshme duke qenë pjesë e Projektit Erasmus + Jean Monnet.

Këto projekte janë në dobi të stafit akademik, por edhe studentëve. Laçi theksoi se duhen rritur përpjekjet nga të gjithë aktorët për të fituar sa më shumë projekte në kuadër të Programit Erasmus + dhe se studentët duhet të kenë sa më shumë kurajo dhe dëshirë për të aplikuar pasi edhe përfitimet do të ishin shumë të mëdha për të gjithë.

Koordinatorja e Zyrës Kombëtare të Programit Erasmus +, Aida Breti u shpreh se “Universiteti i Tiranës është padyshim përfituesi më i madh i projekteve në kuadër të Programit Erasmus +”.

Në kuadër të programit Erasmus+, Universiteti i Tiranës është konsoliduar edhe më shumë nëpërmjet aktiviteteve të shumta, rritjes së kërkimit shkencorë dhe ndërveprimit me institucione të ndryshme europiane./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.