U përsërit 16 shkurti, PD dhe LSI në proces vetëshkatërrimi

TIRANË, 26 shkurt /ATSH – I. Vata/ Protesta e opozitës tregoi se PD dhe LSI kanë hyrë në procesin e vetëshkatërrimit, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i ftuar në “News 24”, i cili theksoi se “edhe sot u përsërit i njëjti skenar si ai i 16 shkurtit”.

Duke folur për protestën e opozitës, Balla tha se tha se gjithë Tirana ishte e qetë sot, përveç rrugës para Parlamentit ku protestonte opozita, e cila tregoi se PD dhe LSI kanë hyrë në procesin e vetëshkatërrimit.

Balla tha se më vjen keq që ish-deputeti Petrit Vasili i ka bërë thirrje turmës për dhunë dhe ky është akt i turpshëm dhe i dënueshëm.

“Edhe sot u përsërit i njëjti skenar i 16 shkurtit, ku Partia Demokratike përdor persona të inkriminuar në protestë, siç bëhet fjalë për njërin nga Cërriku dhe një person tjetër, siç edhe e konfirmon Policia e Shtetit. Përdorimi i këtyre huliganëve dhe njerëz që vijnë kryesisht nga administrata e bashkive Kamëz, Vorë, Shkodër”, shtoi ai.

Më tej, Balla tha se nesër Policia e Shtetit do bëjë publike dhe personat që kanë ushtruar dhunë.

“Kemi parë repartin e pararojës së Policisë së Shtetit që u godit me mjete të forta. Personat e identifikuar për huliganizëm do marrin ndëshkimin e merituar”, tha ai.

Duke folur për situatën politike dhe vijueshmërisë e punës së Parlamentit, Balla shtoi se ne jemi zgjedhur deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo mazhorancë ka marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur në katër vite.

Duke folur për seancën e sotme të Kuvendit, Balla e konsideroi si një vendimmarrje të rëndësishme për institucionet e Drejtësisë.

“Sot Kuvendi kishte vendimmarrje të rëndësishme. Vendimmarrja ishte parashikuar të enjten, por u caktua sot për t’ju shmangur pamjeve si sot, duke shpresuar se PD dhe LSI në këtë proces asgjësimi do të kishin një moment reflektimi për të hequr dorë nga dhuna, nga kërkesa e vijueshme e BE-së dhe OSBE-së. Ne sot votuam institucionet e reja të Drejtësisë së re, siç është struktura dhe buxheti i KLGJ dhe KLP, dhe që nesër ata vazhdojnë punën normalisht”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.