TURQI – Delegacion amerikan në Ankara për tërheqjen e trupave nga Siria

ANKARA, 26 shkurt /ATSH-AA/ – Grupi i punës i themeluar mes Turqisë dhe SHBA-së për të koordinuar procesin e tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, do të zhvillojë mbledhjen e tij të dytë në Ankara më 28 shkurt.

Sipas informacioneve nga autoritetet turke, nga 28 shkurti deri në 1 mars do të mblidhet grupi i përbashkët i punës që mbledhjen e parë e zhvilloi në SHBA më 6 shkurt dhe që ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu e njoftoi pas vizitës së tij në SHBA në fillim të muajit.

Grupi i punës u krijua në muajin shkurt të vitit 2018 mes Turqisë dhe SHBA-së dhe operon si nën-njësi e grupit të punës për Sirinë.

Në takimin që do të mbahet në Ankara, do të vlerësohen planet e SHBA-ve për tërheqjen e trupave të saj nga rajoni i Munbixhit në perëndim të territoreve në lindje të Eufratit.

SHBA-ja aktualisht ka më shumë se 2 000 trupa në Siri. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.