Protesta para Kuvendit, reagon deputeti Sterkaj

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj ka reaguar në përfundim të seancën plenare rreth incidentit të ndodhur pak minuta para fillimit të kësaj seance, ku protestuesit e opozitës e kanë shtyrë.

Në përfundim të seancës e cila u mbajt vetëm me deputetët e mazhorancës pas djegies së mandateve nga opozita, Sterkaj i bëri një thirrje ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për të pajisur Policinë me pajime që t’i përgjigjen një turme të dhunshme.

“Kjo është anarshi, por ne mendojmë që do zbatojmë ligjin. Situata do vijojë si është më mirë. Kjo është situatë e paprecedentë, nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm që Policinë mos ta nxjerrë pa mjete intervenimi, të jenë të pajisur me të gjitha pajisjet e sulmit të turmave që destabilizojnë vendin”, – tha Sterkaj.

“Mos t’i bëjnë thirrje kujt që të cenojnë individë parlamentarë, sepse çdo individ parlamentar siç kanë këta popullin që i shoqëron kanë dhe parlamentarët popullin që e shoqëron, pra nëse do i përgjigjemi me popull, kjo është anarki. Por ne mendojmë që të zbatojmë veç ligjin, të ndjekim veç ligjin dhe i bëj thirrje gjithë kolegëve deputetë, nuk është normale të bëhen thirrje siç ka bërë Petrit Vasili, bile e mora në telefon, po ju them të sinqertë që po qe se i ndodh ndonjë gjë ndonjë deputeti, do e kërkojmë tek ai, apo tek ndonjë deputet tjetër, se nuk i kam ndjekur të gjithë që kërkojnë të sulmohen deputetët, që janë përfaqësues të popullit. Kaq kisha”, – tha Sterkaj.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.