Ndryshimet ligjore, rregullim situatës së paqartë të tokës bujqësore

TIRANË, 26 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi duke folur në Kuvend për projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve theksoi se me këto dy ndryshime ligjore do të rregullohet një situatë e paqartë me tokën bujqësore.

“Qeveria ka bërë shumë për sektorin e bujqësisë, por do të doja t’iu shpjegoja shqiptarëve që janë përfitues të ndryshimeve ligjore që do të bëjmë sot se ku konsiston dhe ku lidhet kjo me strategjinë për tokën bujqësore në Shqipëri”, – tha Çuçi.

Në vijim, Çuçi shpjegoi se në radhë të parë ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shtimin e afatit të procesit të titujve të pronësisë së tokës bujqësore deri më 31 dhjetor 2019.

“Një element i rëndësishme për të gjithë ata që nuk kanë mundur dot të bëjnë këtë plotësim në procesin që qeveria ndërtoi në bashkëpunim me bashkitë dhe për të mos i diskriminuar ata në përfitimin për të kaluar në pronësi tokën bujqësore u shty afati. Së dyti, konsiston në shtyrjen e afatit të shqyrtimit të vlefshmërisë së titujve të pronësisë për tokën bujqësore nga komisionet vendore pranë prefektëve deri më 31 dhjetor 2019. Dhe së treti, zgjerimi i rrethit të subjekteve përfituese të tokës bujqësore. Në këtë ligj u jep mundësia edhe familjeve bujqësore të cilat kanë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por nuk kanë qenë banorë aty, kusht i cili nëse nuk plotësohej përbënte pengesë në legjislacionin aktual për t’u pajisur me tokë bujqësore”, – shpjegoi Çuçi.

Më tej, Çuçi shtoi se kjo kategori do plotësohet me titullin e pronësisë për tokën bujqësore të cilën e përdorin faktikisht, por që juridikisht nuk kishin hapësirë ligjore për ta marrë me akt të tokës në pronësi”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.