Mosdeklarimet në afat, Tatimet informojnë për masat administrative

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/- Çdo veprim ose mosveprim i tatimpaguesit apo përfaqësuesit të tatimpaguesit, që bie në kundërshtim me ligjin, përbën shkelje tatimore administrative dhe dënohet administrativisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, informon se në rastet kur shkeljet e konstatuara janë pasojë e njëra-tjetrës, të rrjedhura nga një shkelje bazë, për një lloj tatimi, vendoset një dënim i vetëm që është dënimi me gjobën më të lartë i njërës nga shkeljet.

Në rastet kur gjoba nuk është fikse, por me “diapazon” (me kufi minimal dhe maksimal), madhësia e gjobës brenda “diapazonit” të përcaktuar nga ligji vendoset duke përdorur gjykimin më të mirë bazuar në rëndësinë e shkeljes, arsyet e shkeljes, rrethanat konkrete të tatimpaguesit në kohën e shkeljes, madhësia e biznesit dhe vendndodhja, a është e përsëritur shkelja dhe nëse ka qenë i informuar tatimpaguesi.

Gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, sipas përcaktimit në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk mund të kalojnë 100% të detyrimit tatimor. Në rastin kur Administrata Tatimore identifikon persona të paregjistruar që ushtrojnë veprimtari tregtare, aplikon dënimin prej përkatësisht prej 10.000 lekë dhe 15.000 lekë sipas kategorive.

Kur konstatohet se Organizatat Jofitimprurëse nuk regjistrohen në organet tatimore i dënon ato me gjobë 10.000 (dhjetë mijë) lekë. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.