Lufta kundër korrupsionit, Vodo pret ekspertin gjerman

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Zv/ministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo zhvilloi një takim me Sasha Rusch, ekspertin e ri që do asistojë Ministrinë e Drejtësisë në dy vitet e ardhshme në luftën kundër korrupsionit.

Zv/ministrja Vodo dhe Rusch, diskutuan për progresin e deri tanishëm, ndërsa u nënvizua se qeveria dhe Ministria e Drejtësisë janë luftëtarët numër një për të thyer zinxhirin korruptiv, ndërsa një rol jetik kanë dhe qytetarët.

“Përcolla sot përgëzimet e mia për nisjen sot në 25 Shkurt të një misioni të rëndësishëm 2-vjeçar, ekspertit të ri që do të asistojë në ndërgjegjësimin e publikut në luftën kundër korrupsionit, Sasha Rusch”, bën me dije zv/ministrja Vodo.

“Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria shqiptare janë luftëtarët e përulur që mundësojnë hapjen e shtigjeve, por radhët e luftës antikorrupsion që i ndjekin janë qytetarët. Përpjekja dhe rezultatet ndaj krimit dhe paligjshmërisë janë të tyret dhe për ta”, shprehet zv/ministrja Vodo.

Sascha Oliver Rusch është nga Gjermania dhe ka një eksperiencë të gjatë në fushën e luftës ndaj korrupsionit. Ai vjen në vendin tonë të bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me Bashkimin Europian.

Lidhur me luftën ndaj korrupsionit Ministria e Drejtësisë ka ngritur Task Forcën Antikorrupsion, përmes së cilës janë ndërmarrë 445 masa ndëshkimore në një vit (vitin 2018). /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.