Korçë, masa për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Rrjeti komunitar kundër zjarreve u mblodh sot në Korçë për të diskutuar mbi planin e masave për ndërhyrjen në kohë dhe mbrojtjen e pyjeve nga zjarri.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo zhvilloi sot një takim me përfaqësues dhe banorë të fshatrave Dardhë, Vithkuq, Panarit, Shtyllë, Voskopojë e Lekas, ku u analizuan fillimisht faktorët që ndikojnë në zjarret në pyje.

Shoqata për ruajtjen e vlerave dhe zhvillim (AVCD) realizoi një sondazh me banorë të fshatrave të prekura nga zjarret gjatë viteve të fundit, për t’u dhënë mundësi banorëve të shprehin mendimin e tyre lidhur me faktorët kryesorë që shkaktojnë zjarret në pyje.

Komuniteti është ai që di më mirë se kushdo tjetër faktorët dhe specifikat e çdo problematike, ndaj dhe këtu nis organizimi i një ndërhyrje të suksesshme kundër zjarreve në pyje. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.