Haradinaj: Pa koordinim me bizneset, s’do të ketë axhendë të mirëfilltë ekonomike

PRISHTINË, 26 shkurt/ATSH/ – Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Kryeministri Ramush Haradinaj, tha sot se për përkrahja financiare, periudha e investimeve dhe rritja e pagave në sektorin publik, kanë qenë ndër kërkesat dhe shqetësimet kryesore të bizneseve gjatë vizitës që ka pasur së fundimi në bizneset e Kosovës.

Ai tha se këto janë tri temat, të cilat i ka veçuar në terren për t’i paraqitur në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

“Nuk ka dilemë se pa një koordinim të tillë të përbashkët dhe pa rolin e secilit prej nesh, pra do të jetë e vështirë të sigurojmë një agjendë të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik. Kam marrë edhe disa pyetje të tjera, edhe një shqetësim për çështje të pagave. Një pjesë e sektorit privat është e shqetësuar se rritja e pagave në sektorin publik nxjerrë ata (sektorin privat) në pozita më të vështira”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se në këtë Këshill, do të adresohen prioritet për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.

“Ne si Këshill Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, do të vazhdojmë të forcojmë këtë Këshill si platformë të dobishme për dialog publiko privat, ku do t’i adresojmë prioritet dhe sfidat kryesore për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse e që do të ndikojnë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë”, tha Shala.

Në këtë mbledhje po ashtu u bë e ditur se është formuar edhe Sekretaria e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.