Gjatë 24-orëve të fundit, 46 procedime nga policia dhe 6 arrestime

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – Policia e Shtetit njofton se, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 46 shtetas, nga këta: 6 janë të arrestuar, 6 të ndaluar, 26 ndiqen në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të Policisë. mësohet se është ndaluar një shtetas që po udhëtonte me armë zjarri me vete. “Shërbimet e Policisë Vorë, arrestuan në flagrancë shtetasin: R. K., 21 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Në rrugën “Aeroporti i Rinasit – Qafë-Kashar”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll një mjet. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar pasagjerit të mjetit, shtetasit R. K., iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal”, njofton policia.

Në Lushnjë, Policia vijon kontrollet në të gjithë Qarkun Fier për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundra ligjshëm të lojërave të fatit. Procedohet penalisht 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, 6 monitorë dhe 1 lap top që shërbenin për lotari sportive. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, proceduan në gjendje të lirë shtetasin J.K., 40 vjeç, banues në Lushnjë. Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi në Gurrëz të Madhe, në ambientet e lokalit në administrim të tij, ushtronte aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë Qarkun Fier deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Digjital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.

Në Fier,Policia zbardh dhe dokumenton disa vjedhje të ndodhura gjatë këtij muaji. Ndalohen autorët e dyshuar, 3 shtetas nga Fieri. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pas një pune intensive hetimore, zbardhën disa vjedhje të cilat ishin kthyer në shqetësim për banorët e Fierit. Si rezultat u ndaluan shtetasit: K.D, 18 vjeç, banues në Fier, O.L, 15 vjeç, banues në Fier, K.Gj, 15 vjeç, banues në Fier.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të ndodhura në Fier dhe Lushnje. Konkretisht, shtetasit e mësipërm dyshohet se kanë vjedhur: Një furrë buke në lagjen “Apolonia”, Fier. Portofolin e shtetases A.H në Lushnjë. Një biçikletë në lagjen “Kastriot” Fier. Një sasi lekësh në një mjet tip fugon në lagjen “Kastriot” Fier. Një telefon të markës “IPHONE 7”, në një automjet në lagjen “Kastriot” Fier. Disa sende nga një mjet tip fugon në lagjen “Liri” Fier. Një sasi lekësh në një farmaci në lagjen “1 Maj” Fier. Një sasi lekësh në një makinë në lagjen “1 Maj” Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

Në fushën e narkotikëve, policia njofton se, janë evidentuar 2 raste, konkretisht në qarqet Korçë dhe Elbasan, me 1 autorë të arrestuar dhe 1 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në PKK Rinas janë arrestuar 2 shtetas për veprën penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”. Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar në qarkun Tiranë ; 1 rast i “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, është evidentuar në qarkun Fier; 1 rast i “Shkaktim i vetëvrasjes” është evidentuar në qarkun Korçë.

Janë evidentuar 5 raste të “Dhunës në familje”, në qarkun Tiranë, me 3 autorë të shpallur në kërkim dhe 2 të proceduar penalisht në gjendje të lirë; si dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 2 raste të “Ndërtimit pa leje”, konkretisht në qarkun Tiranë dhe Durrës, me 2 autorët të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, ku janë lënduar 5 shtetas të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, në qarkun Fier, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrimit të pronës”, në qarkun Vlorë, ku autori është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë referuar materialet në Prokurori për 3 ngjarje të klasifikuara si aksidentale.

Drejtoria e Policisë Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve, që gjatë lëvizjes të modernizojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse , të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.