Djegia e mandateve, Spiropali: Mundësi për pastrimin e politikës

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – Zëdhënësja e qeverisë dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali theksoi se djegia e mandateve nga e deputetëve të opozitës nuk është fundi i botës, por mund të jetë një mundësi për pastrimin e politikës nga një parti që nuk mundi të reformohej.

“Nuk është e mirë ikja  dhe arratia e tyre nga mandati i deputetit, por fundi i botës nuk është. Është mundësia e pastrimit të politikës nga elita e degraduar e një partie që s’mundi të reformohej, vendosi të digjte veten në sytë e shqiptarëve. Ata i bëjnë dëm atyre që duan të shtohet numri i turistëve, i bëjnë dëm biznesit dhe shqiptarëve që e duan  vendin si e gjithë Europa, por ama s’mund të marrin peng një vend të tërë, asnjë lëshim. Çdo mirëkuptim për qytetarët që u kanë besuar, por kjo qeveri është edhe e tyre. Njerëzit që kanë mbetur të papërfaqësuar nga PD do përfaqësohen nga ne në Kuvend dhe kjo qeveri është edhe qeveria e tyre. Nuk pajtohemi me këto dy forca politike që kanë vrarë dhe janë të gatshme të vrasin sërish dhe madje t’i vënë flakën që të ruajnë mall e gjënë. Tani që kanë dalë në ilegalitet dhe që mendojnë që janë luftëtarë të lirisë, do luftojnë me armiqtë e vendit që janë këtu në qeveri. Ata luftojnë për pushtet dhe gjënë që kanë vjedhur dhe në zgjedhjet e qershorit dhe në zgjedhjet e vitit 2021, shqiptarët do t’i degdisin në koshin e historisë dhe nga aty do të lindë një opozitë e vërtetë për shqiptarët”, – u shpreh Spiropali.

Sipas Spiropalit, opozita i trembet Reformës në Drejtësi dhe se SPAK tashmë ka dalë nga kthetrat e tyre.

“Opozita ose ish-qeveria, është ende në turpin e Shqipërisë, atje ku dhemb më shumë. Nuk ka dhënë llogari për plagët që ka hapur dhe çohet për varfërinë për krimin, për korrupsionin e legalizuar, për shpifjen, vjedhjen. Kjo nuk është një dramë dhe as një tragjedi, por një teatër për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe frikë nga pjella e Reformës në Drejtësi, Prokuroria Speciale Antikorrupsion, e cila tashmë ka dalë nga kthetrat e tyre dhe po bëhet realitet. Sot po votohet strukturat e KLP dhe KLGj, nuk janë këtu, pasi nuk kanë qenë në asnjë moment për të votuar Reformën në Drejtësi”, – theksoi Spiropali.

Duke u ndalur te vendimi për djegien e mandateve, Spiropali theksoi se deputetë të opozitës janë detyruar të firmosin dorëzimin e mandatit.

“Deputetët opozitarë jo të gjithë e firmosën atë letrën për dorëzimin e mandatit të tyre, por u detyruan nga vullneti i lidershipit të partisë së SHQUP-it. Pasi nuk la gjë pa bërë për humbjen e kaluar, Lulzim Basha s’kishte më asnjë mundësi që të justifikonte atë të zgjedhjeve të ardhshme”, – u shpreh Spiropali.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.