Balla: Sot miratohet struktura e dy institucioneve bazë të drejtësisë së re

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “Sa më shumë do të afrohet dita e konsolidimit të drejtësisë së re, aq më tepër do të kemi këtë sjellje antidemokratike, antikushtetuese dhe joligjore të opozitës”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Balla sqaroi se seanca e sotme plenare do të ketë të njëjtin rend dite me seancën e së enjtes së kaluar, e cila u anulua. Është në praktikën e Kuvendit, tha ai, se sa herë që për arsye të ndryshme nuk është zhvilluar seancë plenare, i njëjti rend dite transpozohet në seancën e radhës.

Balla komentoi edhe thirrjen e opozitës për protesta sot para Parlamentit, duke theksuar se “sa më tepër të afrohet ngritja e dy institucioneve të rëndësishme të Reformës në Drejtësi siç është SPAK dhe BKH, aq më tepër do të kemi dhe këtë sjellje antidemokratike, antikushtetuese dhe joligjore të opozitës”.

Balla tha se sot pasdite, Kuvendi do të miratojë dy vendime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të reja të drejtësisë së re që po lind, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

“Ne kemi miratuar kalendarin dhe programin dhe do të vijojmë të miratojmë ligje shumë të rëndësishme të paketës së Reformës në Drejtësi”, tha Balla.

Po ashtu, ai theksoi se “në seancën e sotme plenare ka edhe dy ligje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me hallin e mijëra bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në zonat rurale dhe prej 28 vitesh nuk kanë arritur të marrin dot tapinë e tokës së tyre”. “Me dy ligjet që miratojmë sot i japim zgjidhje një halli shumëvjeçar, sepse detyra jonë është që e gjithë vëmendja të jetë te njerëzit”, tha Balla.

Ai shtoi se “ne po vijojmë me intensitet angazhimin tonë për ta çuar deri në fund mandatin që na kanë dhënë shqiptarët”.

Lidhur me vizitën që pritet të zhvillojë nesër në Shqipëri një delegacion i Parlamentit Europian, Balla tha se “në cilësinë e bashkëkryetarit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, prej muajit nëntor 2018 ne kemi koordinuar bashkë me Parlamentin Europian këtë vizitë”.

“Ata janë të mirëseardhur si në Tiranë, edhe në Shkup, në pjesën tjetër të vizitës. Ka të bëjë me një mbështetje që Parlamenti Europian i jep aspiratës së dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Maqedonisë për fillimin e procesit të negociatave në qershor”, tha Balla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.