Balla: Qeverisim sipas vullnetit të popullit, opozita i frikësohet SPAK e BKH-së

TIRANË, 26 shkurt /ATSH – I. Vata/ “E kemi paralajmëruar që ditën e parë se sapo të miratohet SPAK dhe BKH, disa deputetë nuk do ishin në sallë”, ka deklaruar sot në Kuvend kryetari i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ndërsa diskutonte për projektvendimin për miratimin e strukturës organizative të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Balla tha nuk është e rastësishme që në ditën kur Kuvendi miraton dy vendime të rëndësishme të strukturës së KLGJ dhe KLP, Sali Berisha, Monika Kryemadhi nuk janë më në Kuvendin e Shqipërisë.

Balla theksoi se opozita ka frikë nga krijimi i SPAK dhe BKH.

“Nuk është e rastësishme mungesa e tyre sot, por ne jemi këtu për t’i qëndruar besnikë votuesve shqiptarë që më 25 qershor 2017 na votuan, sepse dinë mirë kujt t’ia besojnë votën se ne jemi të vetmit që çojmë para Reformën në Drejtësi”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se me këto dy ligje përmbyllet një fazë e rëndësishme e këtij procesi që është pikërisht faza e ngritjes së institucioneve.

Duke folur për protestën e opozitës dhe djegien e mandateve, Balla tha se opozita u kthye pas në paligjshmëri.

“28 vite Saliu dhe PD kanë qenë përgjegjës për skemat piramidale, luftën civile të vitit 1997, grushtin e shtetit 1998, shpërthimin e Gërdecit, katër të vrarët e 21 Janarit, për shitjen e detit, korrupsionin e pafund që pasuroi familjet e tyre”, tha ai.

Po ashtu, Balla shtoi se sot Shqipëria është në drejtimin e duhur, pasi është vendosur në të njëjtin krah me SHBA dhe BE.

Gjithashtu, Balla tha se ndërkombëtarët kanë dënuar dhunën e opozitës.

“Dënohet me forcë nga SHBA, BE dhe Gjermania i dhunës së 16 shkurtit, apo dhe i dhunës që është ushtruar dhe sot. Bidona të mbushur me benzinë në seli të PD-së qëllojnë punonjësit e Policisë së Shtetit. Me këto veprime dhe atë të djegies së mandateve, Lulzim Basha krijoi një precedent të rrezikshëm që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që një opozitë që nuk kënaqet me rezultatin e zgjedhjeve të djeg mandatet nëse nuk i jepet pushteti në tavolinë”.

Balla vlerësoi Reformën në Drejtësi bërë nga qeveria shqiptare.

“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë konkludim i një procesi të rëndësishëm që po vijon përkrah procesit të Vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët që tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme, përfshi dhe largimin e shumë funksionar gjyqtarë dhe prokuror të korruptuar. Këto arritje dëshmojnë qartë se Shqipëria ka përshpejtuar dhe thelluar këtë moment të rëndësishëm reformash si dhe ka konsoliduar progresin në përmbushjen e pesë prioriteteve për hapjen e negociatat e anëtarësimit e Shqipërisë në BE. Protestat e dhunshme të 16 shkurtit bashkë me vetë asgjësimin e PD-së dhe LSI-së e dëmtojnë dhe e minojnë perspektive evropiane të Shqipërisë”, tha Balla.

Më tej Balla tha se “Në vitin 2017, PS ka marrë mandat të qartë për të qeverisur në vijim dhe deri në vitin 2021, patjetër PS do ta çojë këtë mandat në respekt të votës së qytetarëve dhe padyshim do ta fitojmë në qershor zgjedhjet për një mandat të tretë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.