“Të gjithë e duan Agim Krajkën” mirëpritet në Teatrin “Migjeni”

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/- Koncerti “Të gjithë e duan Agim Krajkën” u duartrokit nga artdashësit shkodranë, në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës.

Kompozitori i njohur i pranishëm në koncertin e organizuar nga Teatri Kombëtar i Operës e Baletit dhe Ansambli Popullor, e quajti Shkodrën “kryeqytet i Shqipërisë” dhe jo vetëm për artin e kulturën.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Agim Krajka ka krijuar dhe përpunuar muzikën e lehtë, muzikën popullore, klasike dhe kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë.

Atmosfera e krijuar nga një spektator i zgjedhur, ishte vlerësimi i merituar për Mjeshtrin e Madh Krajka. Spektakli erdhi në Shkodër si një bashkëpunim i TKOB-së dhe Teatrit “Migjeni”.

Në koncert solistet Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Kamela Islamaj dhe Venera Lumani interpretuan disa nga hitet e Mjeshtrit të Madh Agim Krajka.

Krijimtaria e Krajkës është voluminoze. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suitë me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike.

Krijimtaria e tij mori vlera të tjera me muzikën e shumë filmave, të cilat i kompozoi gjatë viteve 70-80. Kryeveprat e kinematografisë si “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati” etj., nuk do kishin vend të veçantë në historinë e kinematografisë tonë, pa kolonat zanore që shkroi për to “Mjeshtri i Madh” Agim Krajka.

Të gjithë e duan Agim Krajkën sepse ai kompozoi për të gjithë. Të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse krijimtaria e tij është skenë e madhe që bashkon artistë të melodisë e valles popullore, të këngës së lehtë moderne, sepse muzika e tij është kinematografike e simfonike. E duan se ai i shkroi gjyshes, e duan se Agim Krajka është kompozitori i rinisë. Agim Krajka është kompozitori i dashurisë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.