Ballina Flash

Shqipëria U-17 fillon grumbullimin për “UEFA Development Tournament”

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/- Përfaqësuesja kombëtare e futbollit U-17 është gati të marrë pjesë në “UEFA Development Tournament”, kompeticion që organizohet nga Federata Malteze e Futbollit nga data 3 deri në 9 mars 2019. Shqipëria U-17 në këtë kompeticion do të përballet me organizatorët e Maltës, Skocinë dhe Danimarkën. Ndeshjet zhvillohet në 4, 6 dhe 8 Mars, në orën 11:00.

Përfaqësuesja e kësaj moshe është grumbulluar në kompleksin Tropikal, në qytetin e Durrësit, për tu stërvitur dhe testuar në prag të pjesëmarrjes në UEFA Development Tournament.

Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar të hënën, trajneri Elvin Beqiri theksoi se ky kompeticion do ta ndihmojë atë për të përcaktuar në një masë të madhe grupin që do të na përfaqësojë në turneun zyrtar eliminator. Një indice e parë shumë e mirë ishte “Mercedes Benz Cup” që u zhvillua në Turqi në muajin janar.

“Në muajin mars kemi një turne që zhvillohet çdo vit, vjet është zhvilluar në San Marino ndërkohë që këtë vit do të zhvillohet në Maltë. Do të luajmë kundër Maltës si organizatore, Skocisë dhe Danimarkës. Kuptohet që këto turne na bëjnë shumë mirë sepse zhvillojmë elementin e ri që është edhe objektivi i këtyre Kombëtareve”, tha tekniku

“Shpresojmë që të bëjmë më të mirën, të shohim sa më shumë elemente, sic e dini kemi thërritur elementë të rinj. Një muaj e gjysmë më parë zhvilluam një tjetër turne, në të cilin grumbulluam lojtarë të tjerë, për të parë sa më mirë të gjithë lojtarët. Tani kemi turneun e dytë që zhvillojmë dhe kuptohet që do të vëzhgojmë elementët e tjerë që kemi grumbulluar”, tha Beqiri.

Sipas tij, ky turne është shumë i rëndësishëm sepse i shërben vëzhgimit të elementit të ri. “Kemi thërritur disa lojtarë nga jashtë, të cilët në pamundësi për ti ndjekur të gjithë në vendet ku luajnë. Duhet të them se është fat për ne që kemi këto turne kaq të shpeshtë. Disa element nuk na janë përgjigjur pozitivisht për këto grumbullime sepse nuk janë lejuar nga klubet e tyre, si në Greqi dhe Itali, por besojmë se do të na përgjigjen në ndeshje dhe turne të tjera që do të zhvillojmë dhe kur ti kemi në dispozicion do ti shikojmë me kujdes për të përzgjedhur ato më cilësorët. Këto data nuk janë zyrtare nga FIFA dhe është e drejta e klubeve për të mos i lënë të lirë lojtarët, por në datat zyrtare këto lojtarë do të grumbullohen”, tha Beqiri.

“Pas turneut të parë që zhvilluam në Turqi, kemi fiksuar disa lojtarë, por sigurisht nuk janë të mjaftueshëm për të ndërtuar grupin bazë. Lojtarët kryesorë që do të na përfaqësojnë në turneun eliminator në muajin nëntor do të dalin nga puna e vazhdueshme gjatë të gjithë vitit. Na janë afruar nga shumë skaut lojtarë cilësorë por është problemi i datave të lira dhe nuk janë lejuar nga klubet, në të ardhmen do ti shikojmë nga afër” shtoi tekniku.

“Po ashtu kemi edhe lojtarë nga kampionati shqiptar që mendoj se janë shumë cilësorë, kemi shumë lojtarë këtu që po i vëzhgojmë gjatë ndeshjeve të kontrollit në zonat rajonale. Puna në zonat rajonale na ka ndihmuar shumë për të pasur një ide sa më të qartë për lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar dhe mendoj se ka lojtarë cilësorë, ne do ti vëzhgojmë çdo javë për të përzgjedhur më të mirët në të ardhmen”, nënvizoi trajneri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.