Denaj: Shkolla dhe formimi profesional, mundësi për punësim të menjëhershëm

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/- Ndërmarrja e politikave të duhura si dhe rritja e nivelit të të punësuarve, duke ulur nivelin e papunësisë, jep një ndikim të madh në rritjen ekonomike të vendit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi sot një vizitë në Zyrën e Punësimit, në Tiranë, ku u njoh nga afër me ndërmjetësimin që bën kjo zyrë si me bizneset, ashtu edhe në raport me shkollat dhe kurset e formimit profesional.
Sipas ministres, “40% është një shifër e konsiderueshme e punësimit të të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Kjo është një shifër që na kënaq edhe besoj që është edhe objektiv i qeverisë që kjo fashë të shkojë drejt punësimit në mënyrë të menjëhershme sa mbaron shkollën, sepse kthehet në produktivitet të lartë për të gjithë”.
“Ne kemi një rrjet shumë të gjerë shkollash profesionale, nëpërmjet shumë programeve që ministria jonë ndjek, ne nxisim që shkollat profesionale të bëhen sot atraktive për të gjithë personat që kanë mundësinë nesër të punojnë në tregun e punës në profesione shumë pike, siç ju e thatë, në kërkesat që ka tregu i punës në telekomunikacion, në turizëm e hoteleri dhe mendojmë që shkollat profesionale, me dinamizmin që po marrin, me mbështetjen që po marrin, me fokusin që ka qeveria te zhvillimi i këtyre shkollave profesionale, të gjejnë atë mbështetje studentët që sapo përfundojnë nga niveli i mesëm dhe të arrijnë atë profesionalizëm që kërkohet për tregun e punës”, – tha Denaj.
Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Elira Caushi, u shpreh se janë rreth 20 mijë punëkërkues që do të trajnohen këtë vit pranë qendrave të formimit profesional.
Një ndër pikat e rëndësishme, ministrja Denaj vlerësoi raportin me kompanitë, ku të nxiten punëdhënësit, zyrat e punës si një platformë që i ndihmon ata për të marrë punonjësit e kualifikuar.
/e.xh/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.