Bytyqi: Korpusi i Paqes po jep rezultate të mira për nxënësit tanë

PRISHTINË, 25 shkurt /ATSH/ – Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim drejtoren e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant, me të cilën bisedoi për angazhimin e vullnetarëve të Korpusit të Paqes në disa shkolla të komunave të ndryshme të Kosovës.

Ai në këtë takim falenderoi Grant për kontributin që po japin vullnetarët e Korpusit të Paqes në mësimin e gjuhës angleze për nxënësit e Kosovës dhe tha se ky angazhim ka dhënë vazhdimisht rezultate të mira.

“Në këtë takim biseduam edhe për mundësinë e shtrirjes së programit edhe në komuna, të cilat nuk janë të përfshira aktualisht në këtë program. Në këtë drejtim, u theksua nevoja e bashkëpunimit më të madh me drejtoritë komunale të arsimit, në mënyrë që programi të ketë sa më shumë sukses në ngritjen e cilësisë në mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës angleze”, tha Bytyqi. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.