BRUKSEL – BE: Të shmanget një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë

BRUKSEL, 25 shkurt /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian kërkoi sot shmangien e një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë dhe është në kontakt me të gjitha palët e përfshira në krizë, njoftoi zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

‘’Duhet shmangur një ndërhyrje ushtarake’’, pohoi Maja Koçijançiç gjatë konferencës së përditshme për shtyp të Komisionit Europian, ndërsa opozitari venezuelian, Juan Guaido po diskuton në Bogota me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence dhe me aleatët e tij të grupit të Limës mbi masat që do të detyronin Nicolas Maduros të linte pushtetin.

Gjatë një takimi të ministrave të Punëve të Jashtme të hënën e kaluar në Bruksel, Mogherini theksoi se ”ne përjashtojmë në mënyrë kategorike çdo mbështetje të Bashkimit Europian apo pranim kundrejt një përshkallëzimi ushtarak në Venezuelë”.

‘’Ne paralajmërojmë në mënyrë të qartë se nuk do të mbështesim dhe do të dënojmë ashpër çdo ndërhyrje të huaj ushtarake’’, paralajmëroi një ditë më parë shefi i diplomacisë spanjolle, Josep Borell në një intervistë për agjencinë spanjolle të lajmeve, EFE./ /v.b/ A.JOR.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.