BE: Djegia e mandateve minon progresin që Shqipëria ka bërë drejt integrimit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ “Vendimi i opozitës për djegien e mandateve pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri, sepse parlamenti është në fakt vendi ku reformat duhet të diskutohen dhe të çohen përpara duke mos u bojkotuar”.

Kështu deklaroi sot në një konferencë për media në Bruksel, zëdhënësja e KE, Maja Kocijancic, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi djegien e mandateve dhe protestat e organizuara nga opozita.

“Ajo që mund të them është se dua të nënvizoj qartë atë që thanë edhe Mogherini, edhe Hahn javën e kaluar. Përsa i takon protestës, ata kanë riafirmuar të drejtën për të zhvilluar protesta paqësore, sepse kjo gjë për ne është e një rëndësie thelbësore dhe një vlerë e demokracisë, por në të njëjtën kohë dënojmë çdo thirrje të liderëve politikë për dhunë, gjë që e kemi dëgjuar”, tha ajo.

Ndërsa lidhur me djegien e mandateve, Kocijancic tha se “këto vendime konsiderohen joproduktive, ato shkojnë kundër zgjedhjes demokratike që qytetarët shqiptarë kanë bërë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian”.

“Ne presim që të gjithë anëtarët e parlamentit shqiptar të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë duke vazhduar të shërbejnë në parlament dhe të marrin masat e nevojshme për të parandaluar aktet e dhunës dhe deklaratat për dhunë. Kjo deklaratë ende, sipas pikëpamjes sime, është në fuqi. Ju duhet të kujtoni se ne kemi shprehur pritshmëri të qarta se qeveria dhe opozita duhet të përfshihen në diskutime konstruktive me perspektivën për të kapërcyer situatën aktuale politike në përfitim të qytetarëve shqiptarë. Kjo është një deklaratë e qartë që mbetet e vlefshme”, tha ajo.

Lidhur me ecurinë e procesit të vetingut, Kocijancic tha se “së pari, është e rëndësishme të theksohet se vëzhguesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit po e ndjekin nga afër procesin e Vetingut dhe ata janë të përfshirë në çdo aspekt të kuadrit të Vetingut për të garantuar në mënyrë të veçantë cilësinë e këtij procesi”.

Sipas nesh, tha Kocijancic, “cilësia e procesit nuk mund të sakrifikohet për të shpejtuar procesin”. “Ekziston një marrëveshje mbi këtë mundësi unike për ta bërë procesin e vetingut duke rikthyer besimin e publikut nëpërmjet këtij procesi të gjatë. Që kur ky proces filloi, vetingu ka prodhuar rezultate konkrete bazuar në hetimet dhe kontrollet e kryera dhe ne do t’i shohim nga afër këto rezultate gjatë përpilimit të raportit të Komisionit Europian lidhur me çështjen e zgjerimit, që do të jetë gati në pranverë. Ne i përmbahemi idesë se raporti do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor”, tha Kocijancic.

Duke theksuar se raportet janë shumë të qarta, Kocijancic tha se “nëse ju lexoni me kujdes raportet tona do të shikoni se ato janë shumë të balancuara, ka lavdërime atëherë kur është e nevojshme dhe kur e meritojnë dhe, kur nuk është ky rasti, atëherë ne e verifikojmë dhe jemi shumë kritikë duke dhënë rekomandimet konkrete dhe të detajuara”.

“Unë mendoj se procesi në çdo vend të Ballkanit Perëndimor ka karakteristikat e tij, ka natyrisht një kuadër të përcaktuar qartë. Unë nuk do të krahasoja situatat në të njëjtën mënyrë siç e bëni ju, ka elementë të përbashkët, që unë mendoj se janë shumë të dukshme, por shteti i së drejtës është i një rëndësie shumë të madhe, ashtu si thuhet edhe në raportet e kaluara. Kjo theksohet në çdo faqe të strategjisë së Ballkanit Perëndimor. Ne nuk flasim vetëm me qeverinë, por edhe me interlokutorë të tjerë për të arritur në këto konkluzione”, iu përgjigj Kocijancic gazetarëve. /m.m//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.