150 pisha nga gjimnazi “Qemal Stafa” në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/- “Pas dhjetë vitesh dikush do të ulet në hijen e kësaj peme”. Nëse kalon këtë fundjavë në dunat e Divjakës mund të shikosh jo vetëm fidanët e rinj, por edhe të lexosh mesazhe të varura në degët e njoma të pishave të buta.

Mund të mendosh për një çast se këto “pusulla dashurie” për mjedisin i kanë lënë aktivistë mjedisorë, sidomos kur lexon një shprehje si “Mungesa e mjaltit është rrënja e të gjitha të këqiave”.

Mendja të shkon menjëherë te situata e reduktimit të bletëve dhe masave që vende të huaja po marrin për të ndryshuar problematikën e shfaqur.

Por nëse ecni edhe pak një tabelë druri do t’ju tregojë se të premten e 22 shkurtit gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë ka krijuar tashmë parcelën e vet.

150 fidanë pishe janë mbjellë nga 40 nxënës, bashkë me mësueset e tyre dhe stafin e Parkut Kombëtar Divjakë –Karavasta. Kanë mbjellë dhe kanë lënë mesazhet e tyre, si një proverb indian  që në pak fjalë mund të përmbledhë pasojën e lakmisë njerëzore- ”Kur cdo gjë e natyrës të ketë mbaruar, njerëzit do të kuptojnë se ari nuk është i ngrënshëm”.

Apele të thjeshta, në fidanë të njomë dhe fare të vegjël. Të rinjtë kanë gjetur mënyrën për të shprehur veten dhe jo vetëm për mjedisin. Dikush shkruan mesazhin e tij për librin “Sot një lexues, nesër një lider” apo një shprehje inkurajuese për limitet e vetes. E kështu me radhë, fidan pas fidani  mund të krijosh një ide të asaj që “zien” në mendjet e gjimnazistëve. Pasi mbaron së kundruari një për një pusullat , sheh sërish fidanët dhe punën e mirë që kanë bërë.

Të rinjtë i janë bashkuar fushatës së mbjelljeve #krijoO2tënd duke vijuar edhe një traditë përkujdesi ndaj mjedisit që ky gjimnaz tashmë e mbart në historinë e tij të re dhe të vjetër.

Pak ditë më parë kishin mbjellë fidanët në Parkun e liqenit Artificial së bashku me kryetarin e bashkisë të Tiranës. Kontribuan për qytetin ku jetojnë. Tani japin gjelbërim dhe “marrin” kënaqësinë e natyrës në një nga lagunat më të famshme të vendit.

Pikërisht në ditën kur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksonte se zonat e mbrojtura duhet të jenë laboratorët natyrorë të shkollave dhe se në ditët e pemëve, çdo shkollë mund të gjejë një hapësirë të sajën në një zonë të mbrojtur, gjimnazistët e ”Qemal Stafës”, konkretizuan me veprime, kuptimin dhe qëllimin e  këtij mesazhi.

Ata panë nga afër dy pelikanët kacurrelë, qendrën e vizitorëve dhe në kullën e vrojtimit, shquan me teleskop ishullin e pelikanëve. Njohuritë për lagunën e Karavastasë dhe një shëtitje në bukuritë që ofron natyra ishin njëherësh një orë mjedisore dhe argëtuese për të rinjtë. Xheni, mësuesja e biologjisë tregon se nxënësit kanë mësuar shumë përveç se kanë mbjellë fidanë:  “Një  përvojë e re dhe besoj  ka lënë mbresa te nxënësit. Nisma të tilla duhen bërë më të shpeshta. ”

“Hera ime e parë këtu. Dhe të them të drejtën vetëm kisha dëgjuar diçka- thotë një nga nxënëset- dhe me kaq sa pashë them se do të kthehem përsëri.”

Drejtori i parkut, Ardian Koçi, thotë se mbjelljet e kryera nga nxënësit kanë një rëndësi të veçantë sepse ato janë edukim dhe praktikë në terren.

“E shoh sesi ndryshojnë, sidomos të rinjtë, kur mbjellin fidanë. Lidhen shpirtërisht me to dhe kur largohen nuk harrojnë të lënë porosi që t’u ruash fidanët që kanë mbjellë. Vetëm kaq pak mjafton për të ndezur dashurinë për mjedisin. Një fidan është shkëndija e parë”- thotë Koçi, në profesion veteriner,  që prej 6 vitesh e ka lidhur jo vetëm profesionin por edhe jetën e tij me parkun.

Tashmë gjimnazi “Qemal Stafa” ka parcelën e vet në Divjakë-Karavasta. Ashtu si aspiron me mesazhin e tij, ministri Klosi në prag të Ditëve të Pemëve. Është pikërisht ky sipas tij, “momenti i parë” i një tradite që duhet të flasë patjetër edhe shqip.

Gjimnazi më i vjetër i Tiranës, tashmë e ka kapur në ajër “momentin e parë”. I mbetet vetëm të  vazhdojë kontributin e tij për krijimin e kësaj tradite pyllëzimi. Premtimin e jep drejtoresha e shkollës, Nina Guga.

“Do të vijmë sërish të shtojmë fidanë të rinj dhe të shohim sesa do të jenë rritur këto që kemi mbjellë”, – thotë ajo./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.