Qytetari nga Gramshi punësohet inxhinier pyjesh, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/- Hamza Çarçiu nga Gramshi u punësua inxhinier pyjesh në Poroçan, bashkia Gramsh, falë platformës së bashkëqeverisjes, pasi ishte hequr padrejtësisht nga puna në vitin 2013.

Kryeministri Edi Rama uroi mirëmëngjes me rastin e Çarçiut, i cili pas dy javësh që bëri ankesë në platformë u punësua.

“Mirëmëngjes dhe me një shprehje të vullnetit të palëkundur për t’iu gjendur pranë çdo njeriu të zakonshëm, që sot nuk mbetet më i vetëm nëse çon një sinjal për hallin e vet, përmes platformës shqiperiaqeduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, thekson Rama.

“Jam Kamza Çarçiu, banor i qytetit të Gramshit. Problemi im konsiston në çështjen e punësimit. Kam përfunduar studimet për inxhinier pyjesh dhe aktualisht jam i papunë nuk trajtohem me ndihmë ekonomike dhe as me 6% e bashkisë. Familja ime përbëhet nga 6 anëtarë ku asnjë nuk figuron i punësuar. Kanë ardhur 6-7 shtesa në bashki, kam bërë kërkesë disa herë për punësim dhe asnjëherë nuk është marrë parasysh”, shprehet Çarçiu.

Në 30 maj 2013 më heqin nga puna, thotë ai, ishte shumë e tmerrshme mbeta 5 deri 6 vjet pa punë. “Në atë kohë kisha dy djemtë në shkollë të lartë nuk kisha lekë të paguaja dritat, ujë, ilaçe etj, ishte shumë e vështirë”, thekson Çarçiu.

Gruaja e Çarçiut shprehet se “bashkëshortin e vrau më shumë stresi se e hoqën në mënyrë të padrejtë”.

“Më erdhi përgjigja brenda 2 javësh dhe fillova punë. Faleminderit shumë, e kisha të domosdoshme”, thotë Çarçiu.

Hamza Çarçiu u punësua si inxhinier pyjesh në Poroçan, bashkia Gramsh./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.