Zëdhënësi i CDU/CSU: Opozita po pengon qeverinë, perspektiva europiane në rrezik

TIRANE, 22 shkurt/ATSH/- Grupi parlamentar i CDU-CSU në Bundestagun gjerman, ka reaguar lidhur me situatën politike në Shqipëri, duke theksuar se “protestat në vazhdim në Tiranë paralizojnë qeverinë dhe jetën parlamentare”.

Zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU për zgjerimin dhe çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, Florian Hahn deklaron se Shqipëria po humbet besimin e partnerëve europiane me veprimet e fundit të opozitës.

Hahn thekson se “deputetët shqiptarë, megjithatë, po dëmtojnë kauzën e tyre me ngërçin politik duke djegur masivisht mandatet dhe duke nxitur protesta të dhunshme”.

“Shqipëria po humbet pikët që ka fituar tek miqtë e saj europian. Ndërsa perspektivat për negociatat e pranimit në BE ishin ende optimiste në mesin  e vitit të kaluar, tani po afrohen retë e zeza. Protestat në vazhdim në Tiranë, paralizojnë qeverinë dhe jetën parlamentare. Protestat dhe demonstratat janë të drejta civile dhe një tipar i demokracisë kur zhvillohen në mënyrën e duhur. Deputetët shqiptarë, megjithatë, po dëmtojnë kauzën e tyre me ngërçin politik duke djegur masivisht mandatet dhe duke nxitur protesta të dhunshme. Qëndrimi refuzues nuk e ndihmon vendin apo popullin”, thuhet në deklaratën për shtyp të zëdhënësit të CDU/CSU.

Prandaj, Hahn i bën thirrje “miqve tanë në Shqipëri për maturi”.

“Qeveria dhe opozita duhet të fillojnë menjëherë diskutimet, në mënyrë që aktiviteti parlamentar të rifillojë dhe situata të kthehet në normalitet. Perspektiva europiane është në rrezik”, përfundon njoftimi për shtyp. /s.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.