Universitetet të gjenerojnë fonde përmes projekteve

TIRANË, 22 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Universitetet duhet të angazhohen seriozisht për të gjeneruar fonde dhe për të hyrë në treg përmes studimeve, projekteve dhe angazhimeve konkrete.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, në kuadër të diskutimeve mbi Paktin për Universitetin.

Duke u ndalur te aspekti financiar i Universiteteve, Rama tha se “nuk është buxheti i shtetit përgjigjja për çdo nevojë financiare dhe nuk është shteti përgjigjja për çdo nevojë për punë”.

“Jetojmë në një sistem tjetër ku nuk përgjigjet shteti për të gjitha sidomos në universitet. Universitetet duhet të hapin një faqe të re dhe të nxjerrin para. Është shumë rrugë e shkurtër të financosh me paratë e prindërve dhe me buxhetin e shtetit, ndërkohë që mungon komplet angazhimi i universitetit, trupës pedagogjike dhe studentëve për të nxjerrë financime”, – tha Rama.

Universitetet në botë, shtoi Kryeministri, kërkojnë të ardhura jo vetëm me sponsorë dhe donatorë, por edhe me ato që i afrojnë ata tregut.

Ky universitet, tha Rama, “është i ndërtuar dhe jeton përditë mbi një pasuri të jashtëzakonshme, Gjirokastrën, që dhe pse ka filluar të zgjohet pak, është ende shumë larg së qeni pasuri që e shfrytëzojnë banorët dhe vendi”.

“Gjirokastra është një vend i bekuar ku mendja, dija dhe vullneti mund të nxjerrin shumë të ardhura. Universiteti në këtë drejtim ka mundësi t’i ofrojë institucioneve dhe sektorit privat jo vetëm studime se si mund të nxirren më shumë të ardhura nga kjo pasuri, por edhe projekte konkrete”, – tha Rama.

Përpara 5 vitesh e gjysmë, sipas Ramës, Gjirokastra ishte një pasuri e fjetur, ndërsa sot ka filluar të zgjohet. “Transformimi i pasurive përmes projekteve konkrete mund të shndërrohet në instrument përfitimi”, – tha Rama, duke shtuar se Ministria e Arsimit është institucioni përgjegjës për Universitetin e Gjirokastrës dhe së bashku mund të bëjnë projekte të përbashkëta dhe të ndërtoni një rrugë të re financimi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.