Sfida “Skënderbeu”-“Tirana”, hap javën e 23-të të Superiores

TIRANË, 22 shkurt ATSH/ – “Skënderbeu”-“Tirana”, do të hapë sot javën e 23-të të kategorisë Superiore.

Një përballje që klasifikohej në klasiket e viteve të fundit, por që ka humbur shumë në shkëlqimin e saj në këtë prag sfide, nisur nga pozicionet dhe gjendja aktuale që kalojnë të dyja ekipet.

Skënderbeu ndërpreu serinë e 7 humbjeve radhazi me fitoren ndaj “Laçit”, por u mund sërish në Vlorë fundjavën e shkuar, duke rikthyer hijen e krizës tek ekipi që ka dominuar 8 vitet e fundit në futbollin shqiptar.

Gjithsesi, ndeshja me “Tiranën” duket se do të jetë një tjetër histori. Ndërkohë, “Tirana” udhëton drejt Korçës pas një barazimi të vuajtur me “Luftëtarin” në fundjavën e shkuar, gjithsesi nuk i prishi rrjedhën e rezultateve pozitive që kanë filluar këtë vit 2019.

Kjo javë e 23-të do të ndahet në tre ditë, ku ditën e premte luhet vetëm “Skënderbeu”-Tirana”, për t’i lënë radhën ditën e shtunë “Luftëtari”-“Teutës” dhe “Partizani”-“Flamurtarit”.

Ndërkohë që ditën e diel luhen sfidat e mbijetesës, ku “Kukësi” do të presë “Kamzën” dhe “Kastrioti”, “Laçin”.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.