NJU-JORK – Koreja e Veriut kërkon ndihma ushqimore nga OKB-ja

NJU-JORK, 22 shkurt /ATSH-AA/ – Koreja e Veriut i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara (OKB) ndihmë për të zgjidhur mungesat e saj kronike të ushqimit, që kërcënojnë elementet bazike për jetesën e popullit koreanoverior.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se “shifrat nga Pheniani tregojnë një mangësi prej 1,4 milionë ton në prodhimin e ushqimit këtë vit, duke përfshirë të mbjellat e orizit, grurit, patateve dhe sojeve”.

Sipas shifrave të OKB-së, të paktën “10,5 milionë koreanoverior ose 41 % e popullsisë së saj kanë nevojë për ndihmë ushqimore”.

Thirrja për ndihmë e Koresë së Veriut vjen para takimit të dytë midis udhëheqësit të këtij vendi, Kim Jong Un me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili është planifikuar të zhvillohet në Hanoi të Vietnamit më 27-28 shkurt.

Pheniani që nga viti 2006 përballet me sanksione të rënda të OKB-së, për shkak të testeve me armë bërthamore duke shkelur normat ndërkombëtare. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.