Mesi: Djegia e mandateve e paprecedentë, dialogu kryefjalë e mazhorancës

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ia ka shtrirë gjithnjë dorën opozitës për të bashkëpunuar në të mirë të vendit.

Deputetja e Partisë Socialiste Senida Mesi, në një intervistë televizive, solli në vëmendje se dialogu dhe bashkëpunimi është kryefjalë e politikës që mazhoranca ka ndjekur dhe vijon të ndjekë me opozitën.

“Djegia e mandateve është një përsëritje çadre, ndoshta një formë më ekstreme. Me opozitën kemi ndjekur gjithnjë të njëjtën politikë të dialogut që në vitin 2017, kur opozita ngriti çadrën në qendër të Tiranës, dhe ishte Kryeministri Edi Rama që ul në biseda dhe negociata dhe i ofroj opozitës çfarë donte opozita pikërisht me të vetmin qëllim që të mos krijonte dyshimin më minimal, të faktit që po përsëritet sot, për zgjedhje të ndershme për të gjithë shqiptarët”.

“Ishte po Kryeministri Rama dhe kjo maxhorancë që vijon të kërkojë gjithnjë një gjuhë të përbashkët bashkëpunimi, ashtu sikundër duhet të jetë një parlament që synon të hyjë në BE. Por asnjëherë nuk kemi gjetur nga ana tjetër, pranueshmërinë e çdo dore të zgjatur nga ne”, deklaroi Mesi.

Mesi theksoi se, “Partia Socialiste hyri në një garë zgjedhore të barabartë me çdo parti politike dhe sot është e mandatuar të qeverisë vendin me votat e sovranit. Faji jonë është që populli na votëbesoi në vitin 2013 me koalicion dhe në vitin 2017 të vetëm. Kemi marrë mbi 740 mijë vota kundrejt 300 mijë votave që mori Partia Demokratike”.

Ajo tha se sovrani është ai që ka vendosur dhe na dhënë besimin të qeverisim dhe ne do të bashkëqeverisim me qytetarët për ta dhe me ta.

Mesi e cilësoi bojkotin e opozitës në Kuvend, dhunën e ushtruar në protestën e 16 shkurtit dhe lënien e mandatit të deputetit, si veprim të paprecedentë, që sipas saj, “në sistemet demokratike partitë përfaqësojnë një platformë në mbështetje të votuesve. Dhe mandati i deputetit i takon sovranit që e ka votuar. Çka do të thotë se me lënien e mandatit nga ana e opozitës 340 mijë votues nuk janë më të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Qershori i këtij viti është mjaft i rëndësishëm për sa i takon negociatave ndaj dhe opozita duhet të jetë e përgjegjshme, – tha Mesi, ndërsa theksoi se, – kërkesat e opozitës për një sistem zgjedhor më të mirë, në vitin 2017 u krijua një komision ad hoc, ku opozita nuk mori pjesë në mbledhje dhe takime dhe sot kërkojnë nga PS për të bërë reformë, në një kohë që duhet të ishin në këtë komision për të bërë reformë”.

Mesi tha se “ne nuk jemi kundër protestave dhe mazhoranca është e angazhuar për të përmirësuar punën në mbështetje të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.