Lezha përgatitet për sezonin turistik, pastrohet plazhi i Shëngjinit

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/- Bashkia e Lezhës vijon punën në bregdetin e Shëngjinit, për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për sezonin e ri turistik.

Punonjësit e bashkisë po pastrojnë rërën e sjellë nga dallgët pranë shëtitores, si dhe po pastrohet lulishtja përgjatë saj.

Sipas bashkisë brenda pak ditësh fillon puna për mbjelljen e pemëve dekorative, duke garantuar një sezon turistik të mrekullueshëm.

Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin e Lezhës dhe zonat e tjera turistike për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit, vizitorët e turistët e huaj të kalojnë një sezon turistik të qetë e sa më komod.

Pastrimi i mjediseve publike në bregdet, qytete dhe njësitë administrative, me kontraktimin e firmave të reja të pastrimit, po shkon drejt normalizimit të plotë.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

I ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit. Vetëm 53 km larg kryeqytetit, qyteti i Lezhës ofron vlera të mëdha turistike, me objekte historike muzeale, arkeologjike si dhe objekte kulti si Kisha Françeskane e ndërtuar në vitin 1240. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.