“Interi” së shpejti zyrtarizon transferimin e Diego Godin

TIRANË, 22 shkurt ATSH/ – Drejtori sportiv i “Interit”, Beppe Marotta, konfirmoi se bisedimet me mbrojtësin e Atleticos, Diego Godin kanë shkuar aq mirë sa së shpejti pritet edhe zyrtarizmi i transferimit të tij te klubi “zikaltër”.

“Bisedimet kanë përparuar dhe jam shumë i lumtur, jam optimist se së shpejti do të kemi mundësinë që të zyrtarizojmë Godin si lojtar të ‘Interit’”, tha Marotta. Një tjetër çështje që mbetet e hapur tek klubi italian është edhe ajo e sulmuesit Mauro Icardi.

Argjentinasi e pa ndeshjen e Europa League ndaj “Rapidit” në tribuna dhe u vërshëllye nga tifozët, por Marotta është i bindur se Icardi së shpejti do t’i bashkohet ekipit në stërvitje.
“Nuk kam se çfarë të them më shumë se çfarë është thënë deri më tani. Jam i bindur se Icardi do të kthehet në stërvitje sapo të kalojë problemi të cilin e ka me gjurin”, shtoi Marotta.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.