Inflacioni me metodologjinë Eurostat, në janar ishte 2,4 %

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/- Inflacioni në muajin janar 2019 sipas matjeve me metodologjinë e Eurostat ishte 2,4%.

INSTAT bën të ditur se, rritja më e madhe e çmimeve prej 5,4%, vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,9%, “Argëtim dhe kulturë”, me 1,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4%, etj.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me 0,5% secili.

Për të ndihmuar në hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.