Haradinaj takim me Jean Paul Carteron

PRISHTINË, 22 shkurt/ATSH/- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim presidentin e nderit të Crans Montana Forum, Jean Paul Carteron, me të cilin biseduan për zhvillimet në vend e po ashtu edhe për arritjet e Kosovës në konsolidimin ndërkombëtar.

Kryeministri Haradinaj, e falënderoi presidentin e Crans Montana Forum, Jean Paul Carteron për vizitën e tij në Kosovë dhe për rolin e forumit që të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar duke promovuar praktikat e mira.

“Jam i nderuar që sot keni ardhur për ta vizituar Kosovën dhe keni shprehur vullnetin që të dëgjoni nga afër për zhvillimet këtu në vend. Është rast i shkëlqyeshëm për Kosovën, që të jetë nikoqire e forumit të radhës të Crans Montana, që do të mbahet në Prishtinë. Ky forum i ka dhënë hapësirë të respektuar Kosovës në të kaluarën dhe është një nga ngjarjet e nivelit të lartë ndërkombëtar”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar gjithashtu rëndësinë e këtyre takimeve për tërheqjen e investimeve të huaja.

Ndërkaq, presidenti i nderit i Crans Montana Forum, Jean Paul Carteron, tha se ishte kënaqësi të jetë sot në Kosovë dhe të zhvillojë takim me Kryeministrin Haradinaj, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit edhe në të ardhmen. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.