FOTO/ Turistët çekë zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e 2019-ës

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ –  Në Pragë në datat 21-24 shkurt po zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Turizmit “Holiday World”, që konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e turizmit në rajonin e Europës Qendrore. Vendi partner i këtij viti ishte përzgjedhur Indonezia.

Në panair ishin të pranishëm më shumë se 100 ekspozues nga 40 vende të botës dhe është e bazuar në tri shtylla, në ekspozimin e subjekteve të huaja, paraqitjen e potencialeve të Çekisë dhe Sllovakisë, si dhe në stendat e agjencive turistike.

Ambasadori Ilirian Kuka mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Panairit, ku pati rastin të takohet me ministren e Zhvillimit Rajonal, Klára Dostálová dhe drejtoren e Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Renata Králová.

Gjithashtu, Ambasadori Kuka u takua me drejtuesit e agjencive të udhëtimit që organizojnë udhëtime turistike në Shqipëri, si “Fibula Air Travel”, “Delfin Travel”, “Kovotours Plus” etj., për të cilët Ambasada ofron mbështetjen e vazhdueshme për promovimin e Shqipërisë.

Sipas këtyre operatorëve, shifrat e turistëve çekë që do të vizitojnë Shqipërinë, për vitin 2019, janë shumë premtuese. Agjencitë turistike janë shumë optimiste për rritjen e numrit të udhëtarëve dhe që tani kanë shitur dhe rezervuar shumicën e paketave te udhëtimit për në Shqipëri. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.