FIFA bllokon merkaton e “Chelsea” deri në verën e 2020-ës

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ – “Chelsea” nuk do të ketë të drejtë të transferojë asnjë lojtar në dy sesionet e ardhshme të merkatos, pasi është shpallur fajtor nga FIFA për shkeljen e rregullave në transferimin e lojtarëve të huaj nën 18-vjeç.

Kjo do të thotë se “blutë” nuk kanë të drejtë të blejnë asnjë lojtar deri në verën e vitit 2020.

Përpos kësaj, FIFA e ka dënuar klubin londinez me 600 mijë franga zvicerane, ndërsa Federatën Angleze me 510 mijë franga zvicerane.

“Blutë” kanë të drejtë që të apelojnë vendimin brenda tri ditësh dhe pritet ta bëjnë këtë gjë në përpjekje që të shtyjë kohën kur ky pezullim të hyjë në fuqi dhe të shfrytëzojë afatin kalimtar të verës për të përforcuar ekipin.

Megjithatë, ky mund të jetë fat në fatkeqësi për “Chelsean”, pasi kjo do të thotë se Eden Hazard dhe Hodson-Odoi tashmë kanë pak mundësi që të largohen.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.