BRUKSEL – BE akordon 32 milion euro për energjetikën në Ballkanin Perëndimor

BRUKSEL, 22 shkurt /ATSH-ANSA/ – Efikasiteti energjetik dhe lufta kundër ndryshimit të klimës janë dy objektivat e paketës së re të buxhetit të BE prej 32 milionë eurosh për Ballkanin Perëndimor, njoftoi Komisioneri i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn, gjatë takimit ministror për energjinë mes gjashtë shteteve të  Ballkanit, që po zhvillohet në Podgoricë.

Ky financim u shtohet 50 milionëve euro të tjera të akorduara më parë nga BE për të forcuar politikat energjetike të rajonit.

”Paratë janë të destinuara për tranzicion e gjelbër, në mënyrë që rajoni të renditet sa më shpejt që të jetë e mundur me standardet mjedisore të BE dhe Marrëveshjes së Parisit”, shpjegoi Hahn.

“Ballkani Perëndimor është një potencial i madh i energjisë, që llogaritet në 2,5 miliardë euro në vit”, theksoi komisioneri duke inkurajuar ministrat e gjashtë vendeve që të kapërcejnë”pengesat politike dhe çështjet dypalëshe”./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.