Mbyllja e aplikimeve për SPAK, Balla: Politikanët e korruptuar nuk e ndalën dot

Balla: Dorëzimi i mandateve, tradhti ndaj mijëra qytetarëve që besuan tek opozita

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas dorëzimit të mandateve nga ana e disa prej deputeteve të opozitës, veprim i cili vjen në të njëjtën ditë me përfundimin e aplikimeve për në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion.

Sipas Ballës, SPAK është në një rrugë të mbarë pasi ka një numër të konsiderueshëm kandidatësh për të marrë këtë detyre, duke shtuar se politikanët e korruptuar nuk e ndalin dot më këtë proces.

“Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) në rrugë të mbarë, me një numër të konsiderueshëm kandidatësh (27) për të marrë këtë detyrë të rëndësishme. Politikanët e korruptuar nuk e ndalin dot më, edhe me përpjekjen e sotme. Nuk është rastësi që akti i sotëm antidemokratik i Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit ndodhi pikërisht në ditën e përfundimit të aplikimeve për SPAK dhe në ditën që Kuvendi duhet të votonte strukturën e institucioneve kryesore të Drejtësisë së Re: Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ) dhë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Megjithatë Kuvendi i shqiptarëve do ta votojë në seancën më të parë javën e ardhshme”, shprehet Balla.

Duke e cilësuar dorëzimin e mandateve nga ana e deputeteve të opozitës si një tradhti ndaj qytetarëve që besuan tek opozita, Balla theksoi se këto mandate nuk janë personale dhe se sjellja e paprecedentë e dy partive më të mëdha opozitare PD dhe LSI, ka si synim rrëzimin e sistemit demokratik.

“Mandatet që PD dhe LSI paraqitën dorëheqjet nuk janë personale, as të partive respektive, por janë shprehje e vullnetit të popullit. Dorëzimi i dorëheqjeve prej shumë prej deputetëve të këtyre dy partive përbën një tradhti për të gjithë ata qindra-mijëra qytetarë që besuan tek platforma e opozitës në qershor 2017. Kjo sjellje e paprecedentë e PD dhe LSI sot ngjason gjithmonë e më shumë me një sjellje tipike të një organizate terroriste, e gatshme për të hedhur në erë të gjithë sistemin. Por sistemi demokratik në Shqipëri është tashmë i konsoliduar, ndërsa institucionet shqiptare janë partnere të besueshme të SHBA dhe BE. Prej vitit 2013 Shqipëria ka përshpejtuar dhe thelluar ritmin e reformave, si dhe ka konsoliduar progresin në përmbushjen e pesë përparësive kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit, protestat e dhunshme dhe dorëzimi i mandateve nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vetëm pak muaj larg mbledhjes së Këshillit Europian në qershor 2019, minojnë qartësisht perspektivën europiane të Shqipërisë”, shprehet Balla.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.