Kantieret e rilindjes në Fushë-Arrëz dhe Vaun e Dejës

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u njoh me investimet vendore në dy bashkitë e qarkut të Shkodrës, Fushë-Arrëz dhe Vaun e Dejës.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieret e rilindjes në Fushë-Arrëz dhe Vaun e Dejës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

Drejtuesit vendorë i prezantuan Kryeministrit projektet që janë në zbatim ose do të zbatohen kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe në rehabilitimin e institucioneve arsimore.

Drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela u shpreh se “këtu, jemi në proces investimi rreth 1 miliard lekë të reja nga të ardhurat e OSHEE-së”. “Kemi bërë rreth 45 kabina të reja, kemi investuar në rrjetin e tensionit të ulët, kemi futur në shfrytëzim nënstacionin e Bushatit që kishte që në vitin 2005, që ishte mbaruar dhe nuk ishte futur në shfrytëzim se nuk ishte ndërtuar rrjeti”, tha Çela.

Po ashtu, ai theksoi se “kemi në proces edhe disa investime të tjera në zona turistike”. “Po punohet në fshatin Mjedë, po ndërtohet linja e re 20 kilovolt për zonën turistike Velipojë. Pas 30 vitesh është investuar për herë të parë në Theth”, tha Çela.

Në gjithë qarkun e Shkodrës, sipas tij, “në 3 vitet e kaluara kemi investuar 20 milionë euro dhe në tre vitet e ardhshme kemi në process 22 milionë euro të tjera investime.

Duke folur për këto investime, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “realisht, që nga koha e elektrifikimit nuk është investuar më kurrë”. “Janë të gjitha linjat e vjetra, një erë të fryjë bien në tokë. Kemi stabilizim total”, tha Rama. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.