Dje dhe sot/ Pas 25 vitesh transformohet Dispanceria

TIRANË, 21 shkurt/ ATSH/- Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive në Tiranë, apo siç njihet ndryshe Dispanceria, që ofron shërbim të specializuar për rreth 800 mijë banorë është transformuar tërësisht.

Prej më shumë se dy dekadash, qendra e vetme e këtij lloji në vend nuk ka pasur asnjë investim dhe nuk ofronte as analizat bazë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, thekson se “transformimi i klinikës së specializuar të sëmundjeve të mushkërive të Tiranës është si nata me ditën”.

Qytetarët shprehen se kushtet janë më të mira dhe pastërtia mbizotëron kudo.

“Më parë kushtet kanë qenë jonormale për të qëndruar njerëzit e sëmurë, kurse tani kanë krijuar kushtet normale për vizitat. Përpara ka qenë shumë keq tani është shumë mirë”, shprehet një qytetare.

Doktoreshë Entela Nako, pneumologe në Dispanceri thekson se “një rikonstruksion total në këtë godinë nuk është bërë prej 25 vitesh”.

Eriona Maze, teknike imazherie thotë se “sot janë kushtet shumë më të mira, pasi kemi edhe aparatin dixhtal, gjë që na ndihmon dhe ne si personel, por edhe pacientët”.

Një tjetër qytetare shprehet se sot u habita dhe mahnita njëkohësisht, mrekulli.

Me një investim prej 56 milionë lekë nga buxheti i shtetit është ndërhyrë në infrastrukturë dhe pajisje, si dhe ofron shërbim në kushte dhe standarde bashkëkohore.

Për herë të parë janë vendosur në këtë qendër të specializuar, aparaturat dixhitale (radiografi, spirometër dixhital, etj) që kanë përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe ulur me 3 herë kohën e pritjes për të marrë shërbime të specializuara në këtë qendër.

Me investimet e kryera në aparatura të reja laboratorike është zgjeruar edhe gama e analizave nga 3 që bëheshin më parë, në 16 lloje analizash klinike, biokimike, bakteriologjike dhe analiza specifike për sëmundjet e mushkërive, duke garantuar shërbimin e plotë laboratorik për pacientët. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.