BSH publikon studimin mbi efektet e çmimit sipas tregut

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/-  Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, publikoi një material studimor që sjell në vëmendje efektet e çmimit sipas tregut në rastin e Shqipërisë dhe kontributin në përmirësimin e specifikimit të sektorit të jashtëm në modelet makroekonomike për ekonominë shqiptare.
Sipas vlerësimeve të autorëve, çmimet ndërkombëtare dhe ndryshimet në kursin e këmbimit duket se përcaktojnë rreth gjysmën e ecurisë së çmimit të eksportit të mallrave shqiptare. Ndërkohë, tejçimi i tyre tek çmimi i importeve është disi më i lartë, ku 1% e rritjes së çmimeve të huaja dhe/ose dobësim i monedhës vendase rrit me 0.7% deflatorin e importit të mallrave. Impakti vlerësohet të jetë i ngjashëm si në afatgjatë ashtu dhe në afatshkurtër
Analiza fokusohet në marrëdhënien tregtare të Shqipërisë me Eurozonën për periudhën
2005 T1 – 2017 T2, ku çmimet e importit dhe eksportit të mallrave shpjegohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dy faktorë: mjedisi ndërkombëtar (i përafruar me çmimet e  konkurrentëve dhe ecurinë e kursit të këmbimit) dhe kostot vendase (të përafruara me deflatorin e PBB-së sipas kostos së faktorëve).
Rezultatet ekonometrike sugjerojnë se efektet e çmimit-sipas-tregut janë me rëndësi në përcaktimin e çmimeve të tregtisë së jashtme në rastin e Shqipërisë.
Këto gjetje, në fakt, hedhin poshtë hipotezën  apo perceptimin se ekonomitë e vogla
pranojnë çmimet e përcaktuara në tregje, pa indikacion të faktorëve të jashtëm.e.xh/e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.