Bashkëqeverisje me qytetarët për Shqipërinë që duam

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në daljen e posaçme për mediet ditën kur opozita dogji mandatet, theksoi se është moment për të reflektuar, në mënyrë që të kuptohet se si qëndrojnë faktet.

“Jam zgjedhur dy herë kryeministër. Herën e parë me shumicën e një koalicioni partish dhe herën e dytë me shumicën absolute të partisë që drejtoj”, theksoi Kryeministri.

Ai analizoi situatën e zgjedhjeve më të fundit, që opozita pretendon se janë vjedhur, pretendim ku është ngritur edhe veprimi politik për djegien e mandateve.

“Opozitës iu dhanë të gjitha portofolet që kërkoi, përfshirë Ministrinë e Brendshme si dhe disa agjenci shtetërore, që sipas saj ishin të lidhura me ndikimin në zgjedhje, plus kryetarin e KQZ-së. Iu dha gjithçka tjetër që kërkoi, me synimin e vetëm moskontestimin e zgjedhjeve dhe mospërbaltjen e vendit. U firmos marrëveshja e orës së fundit mbi këtë dakordësi. Së pari, zgjedhjet nuk u kontestuan, faji iu la popullit që i ndëshkoi me 1 milion shuplaka. Ata nuk reflektuan se humbën herën e parë dhe kjo është arsyeja përse humbën herën e dytë”, – tha Rama.

“Paqja zgjati sa ëndrra e një nate vere, në vjeshtë nisi përbaltja e Shqipërisë dhe kontestimi i zgjedhjeve, që sot kapi një kulm të ri”, – tha Rama.

“Shqipëria e sotme ka halle e probleme, unë nuk jam as i rënë nga qielli dhe, as i pagabueshëm. Kam bërë gabime, po kam ditur sidoqoftë edhe të reflektoj, edhe të tërhiqem e të them ‘më fal’ më shumë se një herë. Po ashtu reagimet e mia ndaj tyre nuk janë për tu mbajtur mend me krenari, por jam stërmunduar për t’i dëgjuar dhe për t’i respektuar të gjithë, e jam tërhequr më shumë se një herë kur kam kuptuar se kishin të drejtë protestuesit e jo qeveria”, – tha Rama.

“Sulmohem përditë e përnatë papushim, jo vetëm nga grupe gojëpërdala të opozitës zyrtare, po nga lloj-lloj tipash, kanal më kanal, deri në fis e farë. Kam hyrë në një borxh të pashlyeshëm me fëmijët, gruan, nënën që mbajnë pesha të rënda dhe krejt të pamerituara balte e stresi, por e kam pranuar si haraçin e madh të privilegjit që më kanë zgjedhur të drejtoj punët e atdheut tim”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Në një vend ku sekreti më i madh publik ishte vjedhja si sport kombëtar, që nga energjia e uji, deri te shkumësat e shkollave, te vrasësit e përdhunuesit që nxirreshin nga burgu me lejen e ministrit të Drejtësisë për të shoqëruar deputetët e partisë në fushatë elektorale, partisë që sot e ka krimin dhe drogën në majë të gjuhës, e deri në vrasjet ordinere dy herë më shumë se sot, për të mos harruar vrasjet politike nën dritaren e Kryeministrisë, që sot as mund të imagjinohen, paprekshmëria e të fortëve në tribunat e politikës e llogoret e krimit, që nuk i prekte askush e as mund të imagjinohej se mund të çoheshin para drejtësisë”, – theksoi Rama.

Kryeministri tha se “Shqipëria që unë dua dhe për të cilën kam marrë besimin, e kam sot e gjithë ditën së bashku me PS-në, shumicën e popullit me vete, nuk është kjo që kemi”.

“Shqipëria që unë dua dhe luftoj përditë me mish e shpirt është ajo pa familje që nuk arrijnë dot pa lotë fundin e muajit, por këto familje ishin shumë e shumë më tepër. 660 mijë njerëz të pasiguruar që deri dje nuk merrnin asnjë aspirinë, sot shërbehen. Sot abetarja dhe librat falas jepen për të gjithë, e deri në fund të mandatit deri në klasën e nëntë”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.