Rama: Puka, transformimi epokal i parajsës së fshehur të Veriut

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/- Puka, parajsa e fshehtë e Veriut, është kthyer tashmë në një destinacion turistik, duke ofruar për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Qendra e qytetit të Pukës dhe Liqenit të Vogël pas ndërhyrjes së rëndësishme, e shndërroi atë dhe rrethinat në një atraksion të ri turistik gjithëvjetor.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga transformimi i këtij qyteti.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të transformimit epokal të një qyteti, që para vetëm katër vjetësh ishte një trishtim i vërtetë mes plehrave e rrënimit, ju uroj një ditë të mbarë”, theksoi Rama.

Gjatë vizitës në Pukë, Kryeministri Rama pa nga afër ndryshimet rrënjësore në qytetin verior, sidomos në hapësirën pranë liqenit.

“Këtu është e nevojshme të mbillet me pemë që të krijohet një brez pylli”, tha Kryeministri.
Kryetari i bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj tha se “kemi mbjellë akacie një bimë që zhvillohet shumë. Gjatë gjithë mbrëmjes deri në orën 21:00-22:00 njerëzit bëjnë xhiro. Gjithë pjesa e liqenit është e shoqëruar me ndriçim”.

Sipas tij, në lulishtet anës liqenit janë vendosur edhe stola për njerëzit.

“Mbetjet spitalore që kanë rënë këtu kanë qenë të panumërta. Janë hequr 90 mijë m kub dhera dhe mbeturina spitalore, makina, goma, etj”, thotë një punonjës i bashkisë.

Kreu i qeverisë shprehet se “këtu është mrekulli, është diçka fantastike dhe tani puna është tek ajo që kemi folur që rreth rrotull liqenit të ketë edhe dy- tre agroturizme. Pastaj këtu bëhet një spektakël i paparë duke hyrë në një epokë tjetër”.

“Është një spektakël, pasuri e madhe e qytetit”, thotë Rama.

Më pas kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari Gjonaj vizitojnë shëtitoren e Pukës.
“Sa bukur ka dalë, tmerr i madh ka qenë. Është bërë si ato qytezat gjermane”, shprehet Rama.

Gjonaj thekson se “puna këtu ka filluar nga zero”.

Duke u ndalur tek shtatorja e Gjergj Kastriot Skënderbeut të vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Pukës, Gjonaj tregon se është vepër e skulptorit pukian Ardian Pepa.

Kreu i qeverisë thekson se “tani është momenti që realisht mund të vijnë njerëz. Liqeni fantastik, rindërtimi i madh, edhe mikpritja, edhe birra e Pukës, tamam si qyteza gjermane”.

Sipas tij është bërë një gjë që se beson, një transformim kolosal.

Kryetari bashkisë Gjonaj shprehet se “ne fazën e parë e mbaruam, kjo ishte për ta bërë turistin që të vijë. Më parë shtatë drita ndizeshin në Pukë, tani është e gjitha e ndriçuar”.

Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm, etj./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.