Rama: Agroturizmi në Pukë, model investimi për tërheqjen e turistëve

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/- Hani i Përparim Laçit është një tjetër shembull ekselent se si me punë dhe vendosmëri mund të krijohet një atraksion turistik në një zonë të bekuar me bukuri natyrore.

Me ngjashmëri me Zvicrën, Puka, thotë Përparimi, po kthehet në një destinacion edhe për adhuruesit e skive.

Në një ndalesë në këtë bujtinë, Kryeministri Rama u njoh me një investim mjaft serioz, por dhe ambicioz.

“Ne kemi investuar për ta transformuar qytetin, prandaj kanë për të ardhur më shumë turistë”, theksoi Kryeministri Rama.

“Punoj me 12 vetë, anëtarë të familjes time. Kam bujtinën, kam bërë një fermë me lopë daneze, kam dhe një tufë me dhi. Fati i keq për ne është që nuk gjejmë punëtorë. Unë bërtas me të madhe”, – tha Përparim Laçi, i cili mikpret në hanin e tij jo vetëm turistë vendas, por edhe të huaj. Synimi i tij është ta kthejë në një qendër dimërore për ski.

Me 21 dhoma, pistë skish, gatime tradicionale të Pukës dhe me klimën fantastike të saj, kjo qendër agroturizmi e radhës është një tjetër model zhvillimi për ekonominë jo vetëm familjare, por të zonës në tërësi. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.