Gjonaj: Policia e Shtetit procedoi penalisht 37 autorë për vepra të ndryshme penale

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ – Gjatë javës së kaluar nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 25 raste të veprave penale, ndërsa janë proceduar penalisht 37 autorë, nga të cilët është arrestuar e ndaluar 1 autor, ndërsa 36 të tjerë ndiqen në gjykim të lirë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një deklaratë mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit theksoi sot se “rastet e evidentuara dhe referuara në Prokurori janë bërë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës””.

Ministrja Gjonaj i bëri thirrje të gjithë punonjësve të administratës shtetërore, që të respektojnë ligjin dhe t’u shërbejnë qytetarëve me devotshmëri, pasi çdo shkelje e tyre do të evidentohet dhe denoncohet në organet ligjzbatuese.

Gjithashtu, vijoi Gjonaj, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm, ka kryer verifikim lidhur me rastin e lirimit të shtetasit Gerd Gjinarari.

“Nga ky verifikim rezultoi se ka shkelje të rënda ligjore nga ana e Gjykatës që ka vendosur lirimin e tij. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriatit, duke kërkuar inicimin e procedimit disiplinor për gjykatësin Markelian Kuqo”, tha Gjonaj. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.