Dispanceria transformohet në klinikë model të standardeve europiane

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/- Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive në Tiranë, apo siç njihet ndryshe Dispanceria, është transformuar në një klinikë model të standardeve europiane.

Prej më shumë se dy dekadash, qendra e vetme e këtij lloji në vend e cila ofron shërbim të specializuar për rreth 800 mijë banorë nuk ka patur asnjë investim dhe nuk ofronte as analizat bazë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë klinikë, e cila falë investimit prej 56 milionë lekë nga buxheti i shtetit, në infrastrukturë dhe pajisje, ofron shërbim në kushte dhe standarde bashkëkohore.

Për herë të parë janë vendosur në këtë qendër të specializuar, aparaturat dixhitale (radiografi, spirometër dixhital, etj) që kanë përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe ulur me 3 herë kohën e pritjes për të marrë shërbime të specializuara në këtë qendër.

“Me investimet e kryera në aparatura të reja laboratorike është zgjeruar edhe gama e analizave nga 3 që bëheshin më parë, në 16 lloje analizash klinike, biokimike, bakteriologjike dhe analiza specifike për sëmundjet e mushkërive, duke garantuar shërbimin e plotë laboratorik për pacientët”, tha ministrja Manastirliu.

Qytetarë të ndryshëm që po merrnin shërbimet pranë kësaj klinike shprehen të kënaqur me transformimin e ambienteve dhe me shërbimin e mjekëve./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.