Denaj: Programe të reja për rritjen e punësimit dhe vetëpunësimit

Ministrja Denaj prezanton projektligjin “Për nxitjen e punësimit”
TIRANË, 20 shkurt /ATSH/- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi sot në komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë projektligjin “Për nxitjen e punësimit”.
Ministrja theksoi se projektligji ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit, si dhe formimit profesional.
Ai përcakton objektivat dhe funksionet e sistemit publik të shërbimeve të punësimit, programeve aktive dhe pasive të tregut të punës, formimit profesional si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e tyre.
“Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësimin (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe ofertën e përmirësimit të aftësive gjatë gjithë ciklit të jetës”, u shpreh Denaj.
Me anë të këtij projektligji rregullohen dispozitat në lidhje me punësimin e
personave me aftësi të kufizuar, të cilat nuk kanë gjetur zbatimin e duhur në ligjin ekzistues.
Ministrja informoi deputetët se projektligji parashikon krijimin e Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik që administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit.
“Burimi i financimit të fondit do të jetë kontributi i punëdhënësve të cilët nuk punësojnë 1 person me aftësi të kufizuar për çdo 49 punonjës të punësuar të tyre dhe në këtë rast janë të detyruar të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 50% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar. Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre personave”, shpjegoi ministrja Denaj.

Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësimin (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe ofertën e përmirësimit të aftësive gjatë gjithë ciklit të jetës.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.