BULLGARI – Ratifikohet Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO

SOFJE, 20 shkurt /ATSH-MIA/ –  Parlamenti i Republikës së Bullgarisë ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Për ratifikimin votuan 140 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati asnjë.

Në seancën plenare, ku mori pjesë edhe kryetari i parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mbajti fjalimin edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva,  e cila tha se momenti i bashkimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është historik për Aleancën.

“Bullgaria është mbështetëse e përhershme për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO. Ajo do të punojë në përforcimin e procesit për integrimin euroatlantik të vendit si edhe për reforma të brendshme dhe për stabilizimin e rajonit”, tha Zaharieva.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Socialiste bullgare në opozitë. Ata për disa ditë janë duke bojkotuar Parlamentin për shkak të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor./  /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.