Ushqimet që ju bëjnë të dukeni më të mëdhenj në moshë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ – Ne jemi çfarë hamë! Dietologët e përdorin shpesh këtë shprehje kur sugjerojnë ushqimet e shëndetshme që duhet të hamë çdo ditë. Është shumë e vërtetë, ushqimi që hamë është ekuivalent me mirëqenien tonë fizike e mendore.

Jo gjithmonë na pëlqen të heqim dorë nga disa prej ushqimeve dhe pijeve që “dashurojmë”, por nëse keni vënë re apo ju kanë thënë se dukeni më të mëdhenj në moshë nga sa jeni, kushtojini rëndësi reduktimit të këtyre ushqimeve deri në eliminimin e tyre.

Dr. Ariel Ostad i Akademisë Amerikane të Dermatologjisë ka identifikuar disa të tillë si:

Çokollata

Ëmbëlsira e preferuar stimulon procesin e plakjes. Sasia e sheqerit që gjendet tek çokollata ndikon negativisht për sa i përket plakjes së lëkurës. Ai ndikon drejtpërdrejt tek dy proteinat që ruajnë elasticitetin e lëkurës, elastina dhe kolagjeni, duke shkaktuar rrudhat dhe dobësimin e lëkurës.

Mishi i karbonizuar

I keni kushtuar rëndësi ndonjëherë mishit të karbonizuar tek zgara juaj e pjekjes pasi e keni lënë të piqet më shumë sesa duhet? Rezulton se është tërësisht i pashëndetshëm. Pjesa e errët përmban substanca që shkatërrojnë kolagjenin e lëkurës.

Alkooli

Alkooli ka efekte shkatërruese për mëlçinë. Nëse toksinat arrijnë të akumulohen aty, shkaktojnë akne, rrudha dhe dekolorim të lëkurës duke bërë që të dukemi më të plakur.

Vera e bardhë

Vera e bardhë, ndërkohë ndikon negativisht tek shëndeti i dhëmbëve. Acidi që përmban dëmton smaltin e dhëmbëve. Rekomandohet të pihet ujë rregullisht gjatë konsumimit të saj.

Margarina

Margarina ose “gjalpi alternativ” ka efekte negative tek lëkura. Në një studim të vitit 2001, rezultoi se njerëzit, të cilët përdornin rregullisht margarinë kishin më shumë rrudha në fytyrë sesa ata që nuk e përdornin, si pasojë e acidit yndyror që gjendet tek ky produkt.

Kafeja

Na ndihmon për t’u zgjuar e për të qenë energjikë, por shoqërojeni gjithmonë me një gotë ujë. Kafeja çon në dehidratimin e lëkurës dhe shfaqjen e rrudhave. Ju pëlqen me shumë sheqer dhe krem qumështi? Kjo shton rrezikun për dëmtimin e kolagjenit, gjithashtu.

Ushqimet pikante

Përmbajtja e tyre shkakton inflamacion të lëkurës dhe shton rrezikun e sëmundjeve të saj, prandaj përpiquni t’i reduktoni.

Çaji i zi

Çaji i zi mund të shkaktojë dëme tek dhëmbët dhe një buzëqeshje jo fort të shëndetshme, por nëse e pini shoqëruar me qumësht mund të parandalohet një efekt i tillë. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.